Legjislacioni

QIRAJA

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 801

Qiraja është kontrata me të cilën njëra palë (qiradhënësi) detyrohet t’i japë palës tjetër
(qiramarrësit) një send të caktuar, nëgëzim të përkohshëm kundrejt një shpërblimi të caktuar.

Neni 802

Qiradhënësi duhet:
1. t’i dorëzojë qiramarrësit sendin në kohën e caktuar dhe në gjendje që të lejojë përdorimin për
të cilën palët janë marrë vesh;
2. të kujdeset për të mbajtur sendin në po këtë gjendje;
3. të garantojë gëzimin e qetë gjatë periudhës së qirasë.

Neni 803

Qiraja nuk mund të lidhet për një kohë më të gjatë se tridhjetë vjet, përveç kur parashikohet
ndryshe nga ligji. Në qoftë se ajo është lidhur për një periudhë kohe më të gjatë ose pa afat, ka fuqi
vetëm për afatin e sipërm.
Për ndërtesat që përdoren për banim, kontrata e qirasë nuk mund të lidhet për një kohë më të
gjatë se pesë vjet.
Për sende të luajtshme të dhëna për pajisjen e një sendi të paluajtshëm, afati është baraz me
kohëzgjatjen e qirasë së këtij të fundit.
Kontrata e qirasë, për një kohë më të gjatë se një vit, duhet bërë me shkresë.

Neni 804

Qiramarrësi, që ka ekzekutuar në rregull detyrimet që kanë rrjedhur nga kontrata, ka të
drejtën që të preferohet ndaj personave të tjerë në rast se, me mbarimin e kohës së qerasë, do të
lidhet kontrata e re.

Të drejta e detyrime të qiradhënësit

Neni 805

Qiradhënësi duhet të kryejë, gjatë periudhës së qirasë, të gjitha riparimet, me përjashtim të
punimeve për mirëmbajtjen e përditshme që janë në ngarkim të qiramarrësit.
Për sende të luajtshme, shpenzimet për ruajtjen e për mirëmbajtjen e zakonshme janë në
ngarkim të qiramarrësit, përveçse kur me marrëveshje parashikohet ndryshe.
Kur sendi i dhënë me qira ka nevojë për riparime, që nuk janë në ngarkim të qiramarrësit, ky
është i detyruar të njoftojë qiradhënësin.
Në rast riparimesh urgjente qiramarrësi mund t’i kryejë ato drejtpërdrejt, kundrejt kthimit të
shpenzimeve, me kushte që të njoftojë menjëherë qiramarrësin.

Neni 806

Në qoftë se në kohën e dorëzimit, sendi i dhënë me qira cenohet nga të meta që ulin në mënyrë
të dukshme vlerën e përdorimit të kontraktuar, qiramarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës,
ose zbritjen e çmimit të qerasë, përveç kur ai ka patur dijeni për të metën ose ajo është lehtësisht e
dallueshme.
Qiradhënësi është i detyruar t’i paguajë qiramarrësit dëmet e ardhura nga veset e sendit, në
qoftë se nuk provon se, pa patur faj, nuk ka patur dijeni për këto vese në momentin e dorëzimit.
Në qoftë se veset e sendit vënë para një rreziku të madh shëndetin e qiramarrësit ose të
familjes apo të vartësve të tij, qiramarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës edhe po qe se
veset njiheshin prej tij.

Neni 807

Marrëveshja, me të cilën përjashtohet ose kufizohet përgjegjësia e qiradhënësit për veset e
sendit, nuk ka efekt në qoftë se qiradhënësi ia ka fshehur me keqbesim qiramarrësit ato, ose kur
veset janë të tilla që të pengojnë gëzimin e sendit.

Neni 808

Dispozitat e neneve të mësipërme janë të zbatueshme edhe në rastet e veseve të sendit të
ndodhura gjatë qirasë.

Neni 809

Në qoftë se gjatë qirasë sendi i dhënë me qira ka nevojë për riparime urgjente, qiramarrësi
duhet të lejojë kryerjen e tyre. Në qoftë se sendi nuk riparohet brenda një kohe të arsyeshme,
qiramarrësi ka të drejtë për një ulje përpjesëtimore të qirasë.

Neni 810

Qiradhënësi detyrohet të garantojë qiramarrësin nga shqetësimet që pakësojnë vlerën e
përdorimit dhe të gëzimit të sendit, të shkaktuara nga të tretët që pretendojnë se kanë të drejta mbi të
njëjtin send.
Qiradhënësi nuk është i detyruar të garantojë qiramarrësin nga shqetësimet e të tretëve që nuk
pretendojnë të kenë të drejta mbi sendin. Në këtë rast qiramarrësi ruan të drejtën të ngrejë padi
kundër të tretëve në emrin e tij.

Neni 811

Në qoftë se të tretët që krijojnë shqetësime pretendojnë se kanë të drejta mbi sendin e dhënë me
qira, qiramarrësi është i detyruar ta njoftojë menjëherë qiradhënësin, përndryshe ngarkohet me
shpërblimin e dëmit.
Në qoftë se të tretët veprojnë në rrugë gjyqësore, qirradhënësi është i detyruar të marrë pjesë në
proces, po qe se thirret.

Të drejta e detyrime të qiramarrësit

Neni 812

Qiramarrësi duhet:
1. të marrë në dorëzim sendin dhe ta përdorë për qëllimin që është parashikuar në kontratë dhe,
kur nuk është parashikuar, sipas qëllimit që del nga natyra e sendit;
2. të kryejë pagesën në afatet e caktuara.

Neni 813

Qiramarrësi përgjigjet për humbjen dhe dëmtimin e sendit të cilat ndodhin gjatë kontratës së
qirasë.

Neni 814

Qiramarrësi duhet t’ia kthejë qiradhënësit sendin në të njëjtën gjendje që e ka marrë, në
përputhje me përshkrimin e bërë nga palët në kontratë, përveç dëmtimit ose konsumimit të
zakonshëm nga përdorimi i sendit në përputhje me kontratën.
Në mungesë të përshkrimit në kontratë prezumohet se qiramarrësi e ka marrë sendin në gjëndje
të mirë përdorimi.
Qiramarrësi nuk përgjigjet për humbjen ose dëmtimin e shkaktuar si pasojë e vjetërsisë.
Sendet e luajtshme duhet të kthehen në vendin ku janë marrë në dorëzim.

Neni 815

Qiramarrësi që është në vonesë për të kthyer sendin, detyrohet t’i japë qiradhënësit pagesën e
caktuar deri në dorëzim, përveç detyrimit për të shpërblyer dëmin përkatës.

Neni 816

Përveç kur parashikohet ndryshe në ligj, qiramarrësi nuk ka të drejtë të shpërblehet për
përmirësimet e bëra sendit të marrë me qira. Por në qoftë se ka patur pëlqimin e qiradhënësit, ky
është i detyruar t’i paguajë një kompensim që i korrespondon shumës më të vogël midis shumës së
shpenzimeve dhe vleftës së rezultatit të dobishëm në kohën e dorëzimit. Kur qiramarrësi nuk ka të
drejtë kompensimi, vlefta e përmirësimeve mund të kompensojë dëmtimet që kanë ndodhur për
pakujdesinë e rëndë të qiramarrësit.

Neni 817

Qiramarrësi që ka bërë shtesa në sendin e marrë me qira, ka të drejtë t’i heqë ato në mbarim të
qirasë, kur kjo mund të kryhet pa dëmtuar sendin, përveç kur pronari pranon t’i mbajë vetë
shtesat. Në këtë rast ky duhet t’i paguajë qiramarrësit një kompensim të barabartë me shumën më të
vogël midis shpenzimeve dhe vleftës të shtesave në kohën e ridorëzimit.
Në qoftë se shtesat nuk mund të ndahen pa dëmtuar sendin dhe përbëjnë një përmirësim të tij,
zbatohen rregullat e parashikuara nga neni 810.

Neni 818

Qiramarrësi, veç marrëveshjes së kundërt, ka të drejtë të japë me nënqira sendin që ka marrë
me qira, por nuk mund t’ia kalojë kontratën një tjetri pa pëlqimin e qiradhënësit.
Për sende të luajtshme dhënia me nënqira bëhet me pëlqimin e qiradhënësit.

Neni 819

Qiradhënësi, pa cenuar të drejtat e tij ndaj qiramarrësit, mund të ngrejë padi kundër
nënqiramarrësit për të kërkuar çmimin e nënqirasë për të cilën ky i fundit është ende debitor në
momentin e ngritjes së padisë dhe për ta detyruar atë të përmbushë të gjitha detyrimet e tjera që
rrjedhin nga kontrata e nënqirasë.
Shpallja e pavlefshme e kontratës së qirasë ose zgjidhja e saj ka efekt edhe ndaj
nënqiramarrësit, dhe vendimi i marrë midis qiradhënësit dhe qiramarrësit ka efekt edhe ndaj tij.

Mbarimi i kontratës së qirasë

Neni 820

Qiraja me afat të caktuar nga palët, pushon me mbarimin e afatit, pa qënë e nevojshme
shpallja e mbarimit të saj.
Qiraja në të cilën nuk caktohet afat nuk pushon, në qoftë se përpara afatit të vendosur sipas
nenit 803 të këtij Kodi njëra nga palët njofton palën tjetër se heq dorë nga qiraja.

Përsëritja e kontratës së qirasë

Neni 821

Qiraja përtërihet në qoftë se, pasi të ketë mbaruar afati i saj, qiramarrësit i lihet në përdorim
sendi i dhënë me qira pa kundërshtimin e qiradhënësit.
Qiraja e re rregullohet me të njëjtat kushte si e mëparshmja, por kohëzgjatja e saj caktohet si
për qiratë me afat të caktuar.